Fshehja e mbi 900 trupave në varreza masive në Serbi e padënuar

Fshehja e mbi 900 trupave në varreza masive në Serbi e padënuar

Predstavljanje_dosijea_skrivanje_telaNë datën 31 janar të vitit 2017, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) e ka prezantuar dosjen e tij të tetë sipas radhës mbi krimet e padënuara dhe kryerësit potencial. Dosja „Largimi i provave mbi krimet gjatë luftës në Kosovë: Operacioni fshehja e trupave“ tregon se si operacioni i fshehjes së trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 ka qenë i planifikuar dhe i jetësuar si dhe atë se cilat institucione civile, ushtarake dhe policore kanë qenë të përfshira. Qëllimi i dosjes është të tregojë kryerësit e fshehjes së krimeve më të rënda në Kosovë, që qytetarëve të Serbisë t’ua mundësojë shikimin në krimet, të cilat janë bërë në emër të tyre si dhe që të nxis dëshmitarët që të paraqesin njohuritë e tyre mbi këto ngjarje si dhe që të ndihmojnë në hulumtimin e më shumë se njëmijë trupave të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë konfliktit në Kosovë.

Deri sot, në territorin e Serbisë janë zbuluar katër lokacione me varreza masive, në të cilat kanë qenë fshehur 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë, në periudhën prej datës 24 mars e deri në fund të muajit maj të vitit 1999. Viktima kryesisht kanë qenë meshkujt e paarmatosur, por edhe femrat dhe fëmijët, që janë vrarë në 25 krime të ndryshme të forcave serbe në Kosovë. Sot, edhe 122 viktima të këtyre krimeve konsiderohen si të zhdukur dhe ekziston dyshimi i bazuar se edhe ato gjenden në varrezat masive në territorin e Serbisë.

Drejtoresha e programit për drejtësi të FDH-së, Milica Kostiq ka pohuar se qëllimi kryesor i fshehjes së trupave të civilëve shqiptar është fshehja e krimit dhe parandalimi i hetimeve penale, që ka qenë e planifikuar në nivelin më të lartë shtetëror dhe me pjesëmarrjen e pothuajse tërë aparatit shtetëror. Në dosje janë paraqitur emrat 110 personave, të cilët kanë qenë të përfshirë në këto krime si dhe një bollëk i provave valide për inicimin e procedurës së parë penale para gjykatave në Serbi, që do të përfshijë edhe fshehjen e trupave të shqiptarëve të vrarë në lokacione të fshehta në Serbi.

Kostiq ka përkujtuar se Serbia është nënshkruese e Deklaratës Rajonale mbi personat e zhdukur, e cila e parasheh si prioritet ndjekjen penale të krimeve si pasojë e të cilave ka rezultuar deri te zhdukja e personave por që, megjithëkëtë, në Serbi askush nuk është i ndjekur penalisht për fshehjen e trupave në varrezat masive. Mungesa e vullnetit të njëmendët në kërkimet për personat e zhdukur është e qartë edhe përmes fshehjes së paligjshme të arkivave të organeve shtetërore relevante, me çka pengohet qasja ndaj informatave me rëndësi publike për rindërtimin e ngjarjeve nga e kaluara. Është e padyshimtë edhe që ndjekjen penale të personave përgjegjës dhe hetimet efikase për personat e zhdukur e pengojnë pikërisht personat, të cilët kanë qenë të përfshirë në këto krime e të cilët edhe sot punojnë në institucionet e Serbisë.

Në fund, Kostiqi ka përkujtuar se sot në Serbi, më shumë se një dhjetëvjetësh nga zbulimi i varrezave të para masive, nuk ekziston kurrfarë memoriali për viktimat, të cilat janë zbuluar në te. Një shembull të izoluar paraqet nisma e FDH-së për ngritjen e memorialëve për viktimat, trupat e të cilave janë gjetur në varrezat masive në Batajnicë.

Hulumtuesi i FDH-së dhe një nga autorët e dosjes, Nemanja Stjepanoviq ka përkujtuar se planifikimit të operacionit të fshehjes së trupave i ka paraprirë letra e kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, në të cilën zyrtarëve të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe të Serbisë ua tërheq vërejtjen se të gjithë personat përgjegjës për dhunën në Kosovë do të jenë të ndjekur penalisht. Pas kësaj, operacioni i fshehjes së trupave planifikohet në tri takime, me pjesëmarrjen e kryetarit të RFJ-së, Sllobodan Milosheviqit, ministrit të policisë Vllajko Stojiljkoviqit, shefit të Departamenti të Sigurimit të Shtetit të MPB-së së Serbisë, Radomir Markoviqit dhe Departamentit të Sigurisë Publike, Vlastimir Gjorgjeviqit si dhe zyrtarëve të tjerë të MPB-së dhe, ndoshta, edhe Ushtrisë së Jugosllavisë.

Për të fshehur trupat është përdorur Logjistika e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe e kompanive publike, me pjesëmarrjen e një numri të madh të policisë, të pjesëtarëve të Mbrojtjes Territoriale dhe të Mbrojtjes Civile. Një nga pjesëmarrësit në operacion, dhe tani kryetar i Shoqatës së punëtorëve të pensionuar të MPB-së, Vlladimir Aleksiq, ka kërkuar së fundmi publikisht përgjegjësinë e të gjithë pjesëtarëve të policisë, të cilët kanë shkelur ligjin. Një person tjetër i përfshirë, Goran Radosavleviq Guri, tash është anëtar i Këshillit Qendror të Partisë Progresive Serbe në pushtet, dhe në vitin 1999 përgjegjës për trajnimin në qendrën arsimore në Petrovo Selo, në një kohë kur në dy varreza masive janë varrosur kufoma.

Në transferimin e kufomave ka marrë pjesë edhe ushtria. Prova për këtë përmbajnë edhe dosjet e mëhershme „Rudnica“ dhe „Operacioni Reka“, derisa dosja për heqjen e provave mbi krimet gjatë luftës në Kosovë sjellë prova të reja mbi ngjarjet, të cilat janë të përshkruara në këto dosje, por edhe për largimin e trupave nga lokacionet e tjera.

Stjepanoviq përfundon se shumica e pjesëmarrësve në operacionin e largimit të kufomave nga Kosova në Serbi kurrë nuk ka qenë objekt i ndjekjes penale që flet për pandëshkueshmërinë e përhapur për krime të luftës në Serbi. Kësaj i bashkohet edhe mosbrengosja për fatin e shqiptarëve të tjerë të vrarë, trupat e të cilëve deri më sot nuk janë gjetur, si dhe për familjet e tyre, të cilat me vite presin që t’iu kthehen trupat e më të dashurve të tyre.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë i ka përkujtuar të dhënat kohët e fundit të publikuara të regjistrit të humbjeve njerëzore, sipas të cilave në lidhje me luftën në Kosovë janë vrarë dhe zhdukur 13.535 persona, derisa 1.659 persona konsiderohen si të zhdukur. Anëtarët e familjeve të personave të zhdukur tash e 16 vite nuk mund ta realizojnë të drejtën në të vërtetën, në drejtësinë dhe në reparacionet, duke qenë se as organet shtetërore në Kosovë e as ato në Serbi nuk angazhohen mjaftueshëm për zbulimin e së vërtetës mbi vrasjet e viktimave dhe lokacionet, në të cilat janë fshehur trupat e tyre.

Blakaj vëren se familjet e personave të zhdukur posaçërisht kanë qenë të lëndueshme menjëherë pas përfundimit të luftës, kur ende nuk kanë qenë të zbuluara varrezat masive, kurse shumica e familjeve kanë besuar se më të dashurit e tyre ende janë gjallë. Ata, për këtë arsye, shpesh i janë ekspozuar mashtrimeve dhe, supozohet, për informata të rrejshme mbi fatet e personave të zhdukur kanë dhënë shuma të mëdha të parave. Për shkak të agonisë afatgjatë, në të cilën ndodhen anëtarët e familjeve të personave të zhdukur, nuk habisin as fjalët e një të riu, i cili trupin e vëllait të tij e ka gjetur në Batajnicë, se është më i lumturi në jetë kur e ka gjetur trupin e vëllait të tij dhe kur ka qenë i njohur me fatin e tij.

Në fund, derisa përfaqësuesit e caktuar të shoqatave të viktimave kanë kundërshtuar për faktin se në Beograd dhe në Serbi flitet për viktimat shqiptare, Bosiljka Radovanoviq nga Gjakova/Đakovica – burri dhe vëllai i së cilës janë vrarë para shtëpisë së tyre familjare – ua ka përkujtuar të gjithë të pranishmëve gjendjen e paraluftës të jetës së qetë të përbashkët midis serbëve dhe shqiptarëve. Ajo, po ashtu, ka thënë se në një marrëdhënie të tillë has edhe sot, në ato momentet e rralla kur e viziton shtëpinë e saj të dikurshme në Gjakovë.

Share