I ndahen diplomat gjeneratës së IV-të të Shkollës Rajonale për Drejtësi Tranzicionale – Dialogu i të rinjve si parakusht i pajtimit

I ndahen diplomat gjeneratës së IV-të të Shkollës Rajonale për Drejtësi Tranzicionale – Dialogu i të rinjve si parakusht i pajtimit

tjs-dodela_diplomaNë bibliotekën e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), në datën 22 tetor të vitit 2015 është mbajtur debati mbi rolin e arsimit në ballafaqimin me barrën e së kaluarës së dhunshme. Në debat kanë marrë pjesë Sanja Petroviq Todosijeviq, historiane nga Instituti për historinë e re të Serbisë, Dasha Duhaçek, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, zëvendësja e drejtoreshës ekzekutive të FDH-së Marijana Toma dhe vijuesit e gjeneratës së katërt të Shkollës Rajonale për Drejtësinë Tranzicionale. Në debat është bërë fjalë për marrëdhënien e sistemit të arsimimit kundrejt shkeljes së të drejtave të njeriut në të kaluarën, mbi rolin e të rinjve në procesin e pajtimit dhe jashtë platformave institucionale në ofrimin e përkrahjes për përpjekjet që për të kaluarën të mësohet në bazë të fakteve të vërtetuara.

Pjesëmarrëset kanë vlerësuar se në shtetet post-jugosllave sot është i përhapur dyshimi ndaj arsimimit formal, gjë që është pasojë e një mosbesimi të gjerë në institucionet e sistemit. Në raport me përvojën jo të largët të forcave të armatosura në ish Jugosllavi, arsimimi formal përbënë përmbajtje tejet problematike, por edhe interpretime shumë të rrezikshme të ngjarjeve. Këto interpretime janë më të spikatura në tekstet shkollore të historisë, kurse një shembull të mirë në lidhje me qëndrimin e institucioneve ndaj tyre e japin analizat e përmbajtjeve të teksteve shkollore. Me fjalë të tjera, me gjithë faktin se këto analiza e vënë në spikamë mungesën e përmbajtjeve edukative,  porositë e tyre asnjëherë nuk janë bërë pjesë e politikave zyrtare. Për më shumë, elitat e reja politike e kultivojnë një qëndrim anakronik ndaj të kaluarës, në mënyrë oportuniste duke anuar drejt fashizmit dhe antifashizmit, në përputhje me vlerësimin se çka është në momentin e dhënë politikisht më e dobishme.

Nga ana tjetër, në vet shoqërinë mbretëron një gjendje e mohimit në raport me faktet mbi të kaluarën jo të largët: madje edhe ato fakte, të cilat tashmë janë vërtetuar dhe janë të njohura mohohen ose relativizohen. Kjo flet mbi atë se e vërteta për atë që njëmend ka ndodhur e intereson vetëm një numër të vogël të njerëzve, me fjalë të tjera, se shumica janë të interesuar para së gjithash për perceptimet vetjake mbi ngjarjet e dhëna. Për këtë dëshmojnë edhe hulumtimet relevante. Sanja Petroviq Todosijeviq i ka vënë në spikamë rezultatet e një hulumtimi të tillë, i cili ka treguar se të rinjtë janë të mendimit se nuk e njohin mirë historinë, se, madje, as që iu intereson historia – posaçërisht jo ato histori, të cilat kanë të bëjnë me ngjarjen bashkëkohore – se, së këndejmi, besojnë në rrëfimet mitike mbi ngjarjet e caktuara historike.

Edhe pse arsimimi formal e ka një rol të pazëvendësueshëm në ofrimin e njohurive për gjeneratat e reja, pjesëmarrëset e kanë theksuar se shpesh injorohet fakti se funksionin arsimor sot nuk e kryen në mënyrë ekskluzive vetëm sistemi i arsimit formal, por se këtë rol e marrin edhe familja, organizatat e rinisë dhe organizatat joqeveritare. Dhe këtu fshihet përgjigjja në pyetjen se çka duhet të bëhet në mënyrë që sistemi arsimor të përparojë: është e domosdoshme të vazhdohet me zbatimin e programeve joformale arsimore, siç është ai i Shkollës Rajonale për Drejtësinë Tranzicionale, por edhe që në mënyrë konstante të ushtrohet trysni në institucionet e sistemit, me qëllim që ato në mënyrën e drejtë dhe me fakte të bazuara t’iu ofrojnë të rinjve interpretimin e ngjarjeve të së kaluarës, rolin dhe personat përgjegjës për ato ngjarje. Sistemi duhet të nxis, përkatësisht të motivojë që të bëhen ndryshime, kurse një nga mënyrat është fillimi i një debati të gjerë, madje edhe në situatat dhe në periudhat kur rrethanat politiko-shoqërore nuk i shkojnë për shtati.

Dasha Duhaçek e ka theksuar se klima e sotme, e cila e toleron qëndrimin e dhunshëm ndaj fenomeneve ose grupeve të caktuara, është krijuar pikërisht falë qëndrimit tonë ndaj të së kaluarës. Institucionet shpesh nuk dëshirojnë të vërtetojnë dhe t’i kumtojnë faktet, sepse me këtë do të humbnin potencialin manipulues.

Pjesëmarrësit kanë ardhur në përfundimin se parakusht kyç i ballafaqimit me të kaluarën është fillimi i dialogut midis gjeneratave të reja, posaçërisht të rinjve, të cilët janë të angazhuar në institucionet shtetërore.

***

Mbi rëndësinë e dialogut midis gjeneratave dëshmojnë edhe vijuesit e Shkollës Rajonale të Drejtësisë Tranzicionale.

Branisllav Vuçiniçi, nga Bosnja dhe Hercegovina, i punësuar në Prokurorinë për Krime të Luftës në Sarajevë, si përshtypjen më të fuqishme nga Shkolla e thekson pikërisht faktin se të rinjtë nga Kroacia, B dhe H, Mali i Zi, Serbia dhe nga Kosova kanë treguar se mund të punojnë bashkë, të shoqërohen dhe që t’i shkëmbejnë idetë e tyre. Ai shton se atij, personalisht, Shkolla i ka ndihmuar që të mësojë më shumë për ngjarje të caktuara të konflikteve të armatosura të së kaluarës jo të largët dhe ai rekomandon që Shkolla është rruga e drejtë për përparimin e njohurive mbi ngjarjet e së kaluarës.

Njohuritë, përvojat dhe miqësitë e realizuara gjatë vijimit të Shkollës do ta ndihmojnë Sead Bardhin që ta përparojë punën e tij të përditshme në Këshillin Këshilldhënës pranë kabinetit të Presidentes së Kosovës. Ai, si përparësi themelore të Shkollës e vë në spikamë larminë e temave dhe përgatitjen e mirë të ligjëruesve.

Ena Kerkez nga Gjykata Apelit në Novi Sad konsideron se njohuritë që i ofron Shkolla mund të shkaktojnë ndryshime të narrativit mbi të kaluarën dhe, me këtë, edhe në procesin gjithëpërfshirës të pajtimit. Njohuritë e nxëna në Shkollë secili vijues do të mund t’i zbatojë në kuadër të komunikimit të përditshëm në bashkësitë e tij, gjë që vetvetiu është një aspekt katarktik, spastrues i veprimit.

Për Jelena Veletiqin nga Gjykata e B dhe H ka qenë befasues niveli i interesimit, të cilin e ka zgjuar Shkolla në mesin e 25 të rinjve të ndryshëm, derisa Shkolla i ka tejkaluar të pritmet e saj në pikëpamje të zhvillimit profesional dhe të njohurive, të cilat i ka arritur mbi ngjarjet në rajon.

Andrija Jelkiq nga Kroacia e ka theksuar rëndësinë e të mësuarit mbi të kaluarën në bazë të fakteve me anë të gjyqit të vërtetuara, gjë që është një qasje e cila mungon në të gjitha historiografitë kombëtare në rajon. Qasja e këtillë, sipas tij, çliron nga nacionalizmi dhe revizionizmi. Ai ka përfunduar se mësimi mbi drejtësinë tranzicionale ka dëshmuar se ballafaqimi me të kaluarën është e vetmja mënyrë e drejtë si dhe reçetë e vetme për të ardhmen paqësore.

***

Debati e ka përmbyllur, sipas radhës, vitin e katërt të Shkollës Rajonale për Drejtësi Tranzicionale dhe, pas këtij debati, të gjithë vijuesve iu janë ndarë diplomat.

Share