Prezantohet Dosja „Operacioni Reka“
Fond për të Drejtën Humanitare (FDH) e ka prezantuar në datën 23 tetor të vitit 2015 Dosjen „Operacioni Reka“. Dosja krijon një pamje të zhvillimeve të datës 27 dhe 28 prill të vitit 1999, në fshatrat në perëndim të Gjakovës në Kosovë, kur është zhvilluar një operacion i gjerë i përbashkët i Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ) dhe i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), me emrin „Operacioni Reka“.Gjatë këtij operacioni, pjesëtarët e forcave serbe kanë vrarë së paku 350 civilë shqiptarë të Kosovës, kurse me mijëra sish janë dëbuar në Shqipëri. Trupat e 309 të vrarëve janë gjetur në vitin 2001 në varrezat e fshehta masive në periferi të Beogradit. Viktima më e re në moshë e këtij operacioni i ka qenë e moshës 15 vjeçare.
Duke e hapur konferencën, drejtoresha ekzekutive e FDH-së, Sandra Orlloviq ka thënë se qëllimi i dosjes është që ta përkujtojë përgjegjësinë për disa nga krimet më të mëdha të kryera në luftërat në ish Jugosllavi. Në të njëjtën kohë, kjo dosje, shumë më shumë nga ato të përparshmet, e vë në spikamë mosndëshkimin mbizotërues për krimet e luftës në Serbi.
Prezantohet Dosja „Operacioni Reka“
Gjatë hulumtimeve janë identifikuar së paku 10 njësi të ndryshme, të cilat kanë marrë pjesë në këtë aksionin ushtarako-policor, dhe rreth 20 individë, roli i të cilëve në këto ngjarje në hapësirat e komunës gjakovare në periudhën e dhënë do të duhej të hulumtohej. Më i shquari në mesin e tyre është Momir Stojanoviqi, ish shef i Seksionit për Siguri të Korpusit të Prishtinës, kurse sot deputet i popullit dhe kryesues i Komisionit për Kontrollin e Shërbimit të Sigurisë të Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë. Në muajin mars të vitit 2015, Interpol e ka lëshuar flet-arrestin për 17 pjesëtarë të forcave serbe të sigurisë në lidhje me ngjarjet në luginën e lumit Reka të muajit prill të vitit 1999. Për këtë krim, para Tribunalit të Hagës, është dënuar kreu civil dhe ushtarako-policor i Serbisë, derisa para gjykatave në Serbi ende askush nuk është ndjekur penalisht.
Orlloviq e ka theksuar se „Operacioni Reka“ është shembull i aksionit të koordinuar të UJ-së dhe MPB-së me qëllim të dëbimit të shqiptarëve nga komuna e Gjakovës si dhe se, së këndejmi, ai përbënë një shembull të matricës së kryerjes së krimeve nga forcat serbe në Kosovë.
Këtë e ka theksuar edhe Millica Kostiq, drejtoreshë për çështje ligjore e FDH-së. Dëbimi i fshatarëve, dërgimi i tyre deri te kufiri me Shqipërinë dhe shkatërrimi dokumenteve personale ka pasur për qëllim për të penguar kthimin e tyre në Kosovë. Duke e përshkruar modelin e sjelljes së forcave serbe gjatë dëbimit të shqiptarëve nga lugina e Rekës, ajo e ka vënë në spikamë se forcat serbe së pari i kanë dëbuar fshatarët nga shtëpitë e tyre dhe i kanë drejtuar që në kolona të lëvizin drejt Shqipërisë; para kësaj, i kanë plaçkitur fshatarët dhe nga kolona i kanë ndarë burrat dhe djemtë, të cilët pastaj i kanë vrarë. Në fshatrat Dobrosh, Ramoc dhe Korenicë janë vrarë 75 civilë, derisa në Korenicë janë vrarë 68 sish. Kostiq e ka vënë në spikamë se një numër i madh i dokumenteve ushtarake dhe policore si dhe dëshmitë e pjesëtarëve të UJ-së në mënyrë të pakundërshtueshme tregojnë se në ditën e krimit në Korenicë, në këtë fshat, kanë vepruar njësitë e UJ-së dhe të MPB-së.
Analistja për çështje ligjore e FDH-së Ivana Zhaniq ka folur për dëbimin e dhunshëm të civilëve nga fshatrat përreth Gjakovës dhe ka treguar me prova mbi atë se e tërë hapësira në rrethinën e Mejes ka qenë nën kontrollin dhe bllokadën e ushtrisë dhe të policisë serbe. Kolonat e refugjatëve i janë ekspozuar keqtrajtimit dhe plaçkitjes, derisa meshkujt janë ndarë nga kolona dhe nën kërcënimin e armëve janë dërguar në livadhin në afërsi. Janë ndarë 274 meshkuj, prej të cilëve rreth 30 nga ata kanë qenë të moshës jomadhore. Nga 274 meshkuj të vrarë, janë gjetur 252 mbetje mortore në varrezat masive në Batajnicë, 10 trupa në Meje dhe në fshatrat përreth, derisa për 12 persona ende janë duke u zhvilluar kërkime.
Zhaniq e ka theksuar se sot nuk ka njohuri mbi rrethanat e sakta të vrasjes së të gjithë këtyre meshkujve nga Meja, sepse është fjala për njërin prej krimeve të rralla masive të kryera në Kosovë pa asnjë të mbijetuar. Megjithëkëtë, një nga dëshmitarët dhe dëshmitar okular i plaçkitjes dhe i ndarjes së meshkujve, ish pjesëtar i UJ-së, në gjykimin para Tribunalit të Hagës ka deklaruar se e ka parë kur pjesëtarët e policisë i kanë dërguar disa grupe të burrave deri te disa prona në afërsi, prej nga, pastaj, i ka dëgjuar të shtënat. Më vonë, po atë ditë, në atë pronë i ka parë trupat e të vrarëve. Në pyetjen se çka po ndodh me shqiptarët, një nga pjesëtarët e forcave serbe i është përgjigjur se “po i masakrojnë shqiptarët”.
Obduksioni i mbetjeve mortore nga varrezat masive në Batajnicë ka treguar se të gjithë personat e vrarë kanë pasur plagë të pushkatimit, derisa Tribunali i Hagës ka vërtetuar se të gjithë meshkujt e ndarë në Meje kanë qenë civil dhe se në kohën e ndarjes nuk kanë pasur armë si dhe as që kanë marrë pjesë në luftime.
Lush Krasniqi nga fshati Ramoc ka qenë dëshmitar i ndarjes së meshkujve nga gratë, fëmijët dhe pleqtë dhe se dy vëllezërit e tij si dhe axha kanë qenë në mesin e personave të ndarë. Mbetjet e tyre mortore janë gjetur në varrezën masive në Batajnicë.
Lushi ka treguar se si në datën 27 prill të vitit 1999 në orët e hershme të mëngjesit janë dëgjuar të shtëna, kurse së shpejti është parë edhe tymi nga shtëpitë e djegura. Ai, me familjen e tij, është përgatitur për ta braktisur shtëpinë e tij me qëllim që të fshihet në pyllin në afërsi. Megjithëkëtë, së shpejti është rrethuar i gjithë fshati nga ushtria dhe fshatarët i kanë detyruar të shkojnë deri te një udhëkryq, në të cilin janë ndodhur traktorët e gatshëm. Aty i kanë ndarë burrat dhe djemtë, nga mosha prej 15 e më sipër, e në mesin e tyre edhe xhaxhain dhe vëllezërit e tij. Civilëve të tjerë iu kanë urdhëruar që të shkojnë në Korenicë. Gjatë rrugës për në Korenicë kanë qenë të keqtrajtuar dhe të plaçkitur, kurse Lushi në mesin e policëve ka parë të njohurit e tij të deridjeshëm. Kolona e tyre prej rreth 100 refugjatësh në të njëjtën mbrëmje ka arritur në Korenicë e, pastaj, edhe në Meje. Lushi në Meje ka qëndruar me familjen e tij deri në datën 11 qershor të vitit 1999. Kur është kthyer në vendin e tij, e ka gjetur shtëpinë e tij të djegur.
Lushi, sot, nga personat përgjegjës për krimet e kryera dhe nga kryerësit e drejtpërdrejtë të krimeve e pret të vërtetën mbi ta dhe arsyet e pjesëmarrjes së tyre në ato krime. Ai ka dhënë porosinë se lufta në Kosovë të gjithëve ua ka marrë 25 vite të jetës, kurse në fund nuk janë ngadhënjimtarë as serbët e as shqiptarët, por ekskluzivisht politikanët. Për këtë arsye, ai ngul këmbë se duhet të pastrohemi nga individët të cilët kanë qenë të përfshirë në krime; në të kundërtën, me injorimin e krimeve ndaj viktimave, krijohen kushte për konflikte të reja.