Prezantimi i Dosjes “Rudnica”
Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) e ka prezentuar dje Dosjen ”Rudnica“. Dosja ofron një qasje në provat mbi katër krime të pjesëtarëve të Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ) dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) të kryera në muajin prill dhe maj të vitit 1999 në Kosovë, në të cilat janë vrarë civilë – shqiptar të Kosovës, trupat e të cilëve janë zhvarrosur nga varreza masive në Rudnicë në vitin 2014 si dhe ofron qasje në procedurën „pastrimi i fushëbetejës“ në kuadër të të cilit trupat e viktimave janë hequr nga vendi i krimit e pastaj janë fshehur për 15 vite.
Gjetjet kryesore të Dosjes i ka përfaqësuar drejtoresha ekzekutive e FDH-së Sandra Orloviq. Deri tash në Rudnicë janë identifikuar 52 viktima, të moshës prej 14 deri 87 vjeç. Të gjitha viktimat kanë qenë civil – shqiptarë nga Kosova, të cilët janë vrarë në katër krime të ndara në fshatra në zonën e Drenicës. Zona e Drenicës gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë ka qenë në zonën e përgjegjësisë së brigadës 37 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë (br. 37 mt.), komandant i së cilës në atë kohë ka qenë shefi i shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë Ljubisha Dikoviq. Dokumentet ushtarake të publikuara në Dosje vënë në spikamë praninë e br. 37 mt., në tri fshatra, në të cilat janë kryer krimet e cekura. Në rastin e së paku një krimi, në fshatin Rezallë, është e sigurt se krimet i kanë kryer pikërisht pjesëtarët e br. 37. mt. FDH po ashtu ka konfirmuar se pastrimi i terrenit në fshatrat në të cilat janë kryer krimet ka qenë në përgjegjësi të br. 37. mt. Hulumtimet e FDH-së kanë shkuar më së largu në pikëpamje të marrjes së trupave të viktimave të krimit në Rezallë. Me fjalë të tjera, dhjetë ditë pas krimit të Repartit për pastrim të terrenit të br. 37. mt. ka kërkuar nga organet civile të pushtetit që të marrin trupat e të vrarëve, por ato organe këtë e kanë refuzuar. Si një të dhënë posaçërisht interesante Orloviq e ka theksuar vet lokacionin e varrezës masive, e cila gjendet në vend plotësisht publik, krahas rrugës magjistrale dhe parcelës e cila është në pronësi të Ushtrisë së Serbisë.
Duke folur për arsyet për hulumtim të rrethanave në lidhje me varrezën masive në Rudnicë, Orloviq ka theksuar mosinteresimin e institucioneve të Serbisë për të ndërmarrë hulumtimin me qëllim të vërtetimit të përgjegjësisë për vrasjet, zhvendosjen dhe fshehjen e trupave të viktimave dhe bllokadën e procesit të kërkimeve për personat e zhdukur. Ajo ka theksuar se shteti, i cili është i përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, krahas vërtetimit të identitetit të personave të cilët janë të fshehur në varrezën masive në Rudnicë, do të duhej të procesonte personat përgjegjës për vrasjet, për zhvendosjen dhe për fshehjen e trupave si dhe të ndihmojë në gjetjen e lokacioneve të tjera të fshehta, në të cilat janë të fshehura trupat e viktimave. Për gjetjen e lokacioneve të fshehta kyçe është hapja e arkivave të ushtrisë dhe të policisë, por, po ashtu, para së gjithash edhe porosia adekuate dërguar nga pozicionet më të larta politike se fshehja e trupave të personave të zhdukur nuk është akt patriotik, por se përbënë një krim të vazhduar dhe shkakton një dhembje të re për anëtarët e familjeve të viktimave.
Drejtoresha për çështje ligjore e FDH-së Milica Kostiq ka folur mbi krimet në fshatrat Rezallë, Çikatovë e Vjetër, Zabel i Ultë dhe Gllanasellë (Gladna Sela), në të cilat janë vrarë personat, trupat e të cilëve janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë. Në këto krime janë vrarë më së paku 73 civilë shqiptarë. Vrasjet më masive janë në fshatrat Rezallë (Skënderaj) dhe Çikatovë e Vjetër (Gllogoc) në datën 5 dhe 17 prill të vitit 1999. Dokumentacioni ushtarak vë në pah se br. 37. mt. ka zhvilluar aksionet e saj në këto fshatra, gjë që i vërteton urdhrat, të cilat i ka dhënë komandanti i kësaj brigade Ljubisha Dikoviq.
Gazetari i agjencisë SENSE Nemanja Stjepanoviq ka folur mbi faktet, të cilat janë në lidhje me vrasjet, zhvendosjet dhe fshehjet e trupave të shqiptarëve nga Kosova të vërtetuara në aktgjykimet e Tribunalit të Hagës në lëndët Gjashtëshja kosovare dhe Vlastimir Gjorgjeviqi. Me anë të këtyre aktgjykimeve është vërtetuar përgjegjësia e zyrtarëve më të lartë të Serbisë dhe ekzistimi i projektit të bashkuar kriminal, qëllimi i të cilit ka qenë ndryshimi i drejtpeshimit etnik në Kosovë, kurse zhvendosja e trupave të viktimave në lokacione të fshehta në Serbi është vërtetuar si një nga treguesit kryesorë të projektit të tillë. Po ashtu, provat e paraqitura para Tribunalit të Hagës kanë treguar se policia ka pasur pjesëmarrjen më të madhe në krimet, të cilat janë kryer ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, derisa ushtria ka pasur rol të rëndësishëm në spastrimin e terrenit dhe largimin e kufomave, të cilat më vonë janë gjetur në varrezat masive në Serbi. Stjepanoviqi ka vënë në spikamë se aktgjykimet e cekura të Hagës i kanë sjellë dy përfundime të rëndësishme: para së gjithash, se kimet në Kosovë janë të planifikuara në vet kreun shtetëror të Serbisë me pjesëmarrjen e zyrtarëve më të lartë ushtarak, policor dhe civil; dhe e dyta, operacioni i largimit, i zhvendosjes dhe i fshehjes së trupave të viktimave ka kërkuar një logjistikë të madhe dhe pjesëmarrje të një numri të madh të njerëzve, arsye kjo pse ekziston edhe një numër i madh i dëshmitarëve. Duke i vënë në spikamë këto gjetje, Stjepanoviqi i ka bërë thirrje Prokurorisë për Krime të Luftës të Republikës së Serbisë që ato t’i ketë parasysh me rastin e sjelljes së vendimit mbi fillimin e hetimeve të krimeve, të cilat pjesëtarët e ushtrisë dhe të policisë serbe i kanë kryer në Kosovë.
Jasna Sharçeviq Jankoviqi nga Prokuroria për Krime të Luftës ka thënë se sipas informacioneve të fundit në Rudnicë janë identifikuar 53 viktima, si edhe se në lidhje me këtë varrezë masive është në vazhdim e sipër procedura paraprake hetimore, gjatë të cilës janë pyetur disa dhjetëra dëshmitarë.
Dosja „Rudnica“ është dosja e pestë me radhë e FDH-së, qëllim i së cilës është që publikut t’ia vë në pah dëshmitë mbi krimet, të cilat pjesëtarët e forcave serbe i kanë kryer gjatë konflikteve të armatosura në hapësirën e ish Jugosllavisë e të cilat nuk janë të procesuara para Tribunalit të Hagës dhe gjykatave vendore.
Dokumenti ka lindur në bazë të dokumenteve autentike ushtarake dhe policore, deklaratat e të mbijetuarve të krimeve, anëtarët e familjeve të viktimave, raporteve mjekoligjore, dëshmive të oficerëve të UJ dhe zyrtarëve të MPB-së para Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish Jugosllavinë si dhe materialeve të tjera relevante.